Vajzat e Kosovës kualifikohen për herë të parë në botërorin për Hendboll       / Foto: AA

Kombëtarja e Kosovës në Hendboll U18 (vajzat) ka shënuar histori duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror të Hendbollit që mbahet në gusht 2024 në Kinë.

Siç njofton Federata e Hendbollit e Kosovës, vajzat e Kosovës këtë sukses e arritën duke triumfuar në finale të “Trophy Intercontinental”, ku në Tashkent të Uzbekistanit, Kosova U18 e mposhti Nigerinë me rezultat 22 me 16.

Në Tashkent, Kosova U18 fillimisht fitoi ndaj Uzbekistanit me rezultatin 27 me 21 e më pas ndaj Guatemalës me rezultat 31 me 12.

Në gjysmëfinale e kaloi Kaledoninë e Re, të cilën e mposhti 27 me 16, të shtunën.

Takimi final nisi më mirë për Kosovën, por më pas nigerianet u kthyen në lojë. Pas 30 minutave rezultati ishte 10 me 10. Fillimi i pjesës së dytë u takoi nigerianeve, ndërsa gradualisht Kosova e mori kontrollin për t’u shkëputur në fund dhe për të festuar me pasion.

Federata e Hendbollit e Kosovës e ka uruar shtabin teknik të udhëhequr nga Mitat Ferati për suksesin historik si dhe të gjitha vajzat që kontribuuan në këtë sukses.

TRT Balkan / agjencitë