Shqipëria kryeson në grupin E, përgëzime nga Rama e Duka. / Foto: FSHF

Kuqezinjtë arritën të mposhtin Çekinë me rezultatin 3:0 në ndeshjen e luajtur dje në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” të vlefshme për kampionatin europian, Euro 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale konfigurimin e Grupit E, ku kuqezinjtë janë në krye me 13 pikë, Polonia renditet e dyta me 9 pikë, ndërsa çekët i ndjekin me 8 pikë.

Rama vlerësoi djemtë e Kombëtares, trajnerin e tyre, por edhe tifozët kuqezinj.

“Me këtë pamje që s’e kemi parë kurrë dhe me një falënderim të madh për ata të cilët e krijuan, djemtë e mrekullueshëm të kësaj Kombëtareje, trajnerin e tyre të jashtëzakonshëm dhe ndihmësit e tij fantastikë, e pa diskutim supertifozët kuqezinj që janë lojtari 12 i skuadrës sonë”, u shpreh Rama.

Pas fitores së mbrëmshme kombëtarja shqiptare është më pranë ëndrrës së kualifikimit për në EURO 2024.

Duka: Nuk jemi në ëndërr, vendi i parë është yni

Ndërkohë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas fitores së Kombëtares mbrëmjen e djeshme ndaj Çekisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Duka shprehet se “nuk jemi në ëndërr! Fitorja na përket NEVE. 3 pikët na përkasin NEVE. TRE GOLA i shënuam ne! Vendi i parë është yni”.

Ai thekson se ky është tetori më i bukur i 8 viteve të fundit.

“Gjithmonë fatsjellës për ne. 8 vite më parë u kualifikuam në finalet e “EURO 2016” ndërsa sot jemi shumë pranë finaleve të Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Çfarë emocionesh! Çfarë nate! Çfarë lojtarësh! Çfarë tifozerie! Kjo Kombëtare di vetëm të na lumturojë, të na mbushë sytë me lot gëzimi. Fjalët janë të pakta për të përshkruar fitoren e sotme”, shprehet Duka.

Kreu i FShF-së nënvizon se Çekia ishte kundërshtari më në formë i këtij grupi, por kjo Kombëtare është pa dyshim një tjetër nivel.

“E pakrahasueshme! E merituam plotësisht, ndaj le të këndojmë e të festojmë të gjithë bashkë sonte kudo ku ka shqiptarë. Edhe dy ndeshje kanë mbetur. Edhe dy finale drejt ëndrrës ‘Gjermani 2024’. Faleminderit lojtarë, faleminderit stafi teknik. Një falënderim të veçantë meriton edhe tifozeria jonë për sjelljen e përkryer dhe për mbështetjen e pakursyer ndaj Kombëtares. Shqipëri, sa fort të duam”, përfundon reagimin Presidenti i FShF-së.

TRT Balkan / agjencitë