Kombëtarja e Spanjës u bë kampione e Evropës për herë të katërt, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2:1 në finalen e sotme të EURO 2024 në Gjermani.
Pjesa e parë në stadiumin Olimpik të Berlinit u luajt me mjaft kujdes nga të dyja palët, ndaj nuk u pa asnjë rast serioz për gol.
Vazhdimin e ndeshjes e hapin fenomenalisht spanjollët. Në minutën e 47-të Lamine Yamal tërhoqi topin nga krahu i djathtë dhe më pas asistoi deri tek Nica Williams, i cili tronditi rrjetën duke kaluar epërsi spanjollët për 1:0.
Anglezët u zgjuan në gjysmën e dytë të ndeshjes dhe në minutën e 73-të realizuan një aksion të bukur, të cilin e mbylli Cole Palmer me një goditje nga njëzet metra për të barazuar shifrat.
Loja më e mirë gjatë gjithë pjesës së dytë u kurorëzua nga Spanja në minutën e 87-të, kur Mikel Oyarzabal mundi portierin Pickford pas krosimit të Marco Cucurella.
Anglezët në minutën e 90-të patën plot tre raste pas goditjes nga këndi, por të tria tentativat me kokë nuk përfunduan në rrjetë.
Kështu, Spanja bëhet kampione Evrope për herë të katërt në histori.