Spanjë: Ofendimet raciste kundër futbollistit Vinicius, nisin arrestimet

Spanjë: Ofendimet raciste kundër futbollistit Vinicius, nisin arrestimet

Arrestimet janë kryer në Madrid dhe Valencia, që kanë të bëjnë me dy incidente të veçanta.
Ofendimet raciste kundër futbollit Vinicius, arrestohen 7 persona në Spanjë.     /Foto: Vini Jr/Twitter

Policia spanjolle arrestoi sot 7 persona nën dyshimin se kanë kryer krime të urrejtjes kundër futbollistit brazilian me ngjyrë Vinicius Junior.

Arrestimet janë kryer në Madrid dhe Valencia, që kanë të bëjnë me dy incidente të veçanta.

Policia arrestoi tre të rinj në Valencia, të cilët dyshohet se morën pjesë në tallje raciste dhe abuzim verbal ndaj sulmuesit dhe yllit të Real Madridit gjatë ndeshjes të së dielës, (21 maj) ku u dëgjuan brohoritjet e fansave duke e quajtur Viniciusin "majmun", një shprehje raciste që përdoret për të fyer njerëzit me ngjyrë.

Përveç kësaj, katër persona të moshës 19, 21, 23 dhe 24 vjeç u arrestuan në Madrid pasi kishin varur një kukull në një urë pranë terrenit të stërvitjes së Real Madridit në janar. Figura, e lidhur për qafe, ishte e veshur me fanellën e Vinicius dhe poshtë saj ishte vendosur një pankartë e madhe ku shkruhej "Madridi e urren Realin".

Autoritetet spanjolle besojnë se tre nga të arrestuarit në Madrid i përkasin një fraksioni "radikal" që mendohet të jetë i lidhur me një grup huliganësh që mbështet ekipin rival Atletico Madrid.

Pas ndeshjes së të dielës, Vinicius Junior dhe Real Madridi tërhoqën vëmendjen për sjelljen abuzive, duke bërë që prokurorët e Valencias të nisin hetime për krimet e urrejtjes të hënën. "Kjo nuk është hera e parë, as e dyta, e as e treta. Racizmi është normal në La Liga", shkroi Vinicius pas ndeshjes, duke argumentuar se ngjarje si kjo e bëjnë Spanjën të duket si një vend racist.

Në vazhdën e polemikave, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva doli në mbështetje të lojtarit të Real Madridit të dielën. Real Madridi konfirmoi të hënën se kishin ngritur ankesë për krimet e urrejtjes në Prokurorinë kombëtare spanjolle. Më pas, klubi i futbollit të Valencias lëshoi një deklaratë duke denoncuar sjelljen fyese dhe vendosi ndalesë të përjetshme për ndjekjen e ndeshjeve në stadium për të gjithë personat e implikuar në abuzimin racor.

Pavarësisht polemikave, Javier Tebas, presidenti i La Ligës, mbrojti federatën e tij kundër kritikave të Viniciusit dhe akuzoi lojtarin se nuk ka kontribuar pozitivisht në luftën kundër racizmit.

Në mbrojtje të vendit kundër akuzave për racizëm dolën edhe figura eminente nga partia kryesore opozitare konservatore e Spanjës. "Spanja në asnjë rast nuk është vend racist. Duhet të themi se sporti është edukim dhe është e kundërta e racizmit", tha të martën kreu i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo.

Lidhur me rastin u prononcua edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili tha se "toleranca për racizmin në futboll është zero" dhe në përgjithësi në shoqërinë spanjolle.

Në një rast të ngjashëm, prokurorët spanjollë kanë kërkuar dënim me dy vjet burg për dy huliganë të klubit Espanyol, të cilët akuzohen për fyerje racore të lojtarit të Bilbaos, Inaki Williams në vitin 2020. Ky gjyq ende është në vazhdim.

TRT Balkan / agjencitë