Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet intensive në SportCentrum Kaiserau për ndeshjen e fundit dhe vendimtare në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, doli këtë të premte në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen. Futbollisti kuqezi tha se është gjithmonë i gatshëm për të dhënë maksimumin për Kombëtaren dhe theksoi se ndaj Spanjës ekipi do të futet në fushë vetëm për fitore.
“Aq sa kam minuta jam munduar të jap maksimumin për Kombëtaren. Në ndeshjen e dytë bëmë më mirë se në ndeshjen e parë. Me Kroacinë u futëm ndryshe në fushë, shënuam gol pastaj pësuam dy, por ne nuk u dorëzuam dhe realizuam sërish dhe barazuam. E kemi harruar ndeshjen me Kroacinë dhe jemi të fokusuar vetëm te Spanja. Besoj që do të arrijmë fitoren”, u shpreh ai.
Sa i takon Spanjës, Hoxha pohoi se është tifoz me Realin e Madridit.
“Spanja ka një skuadër të jashtëzakonshme, bëri një ndeshje të shkëlqyer me Italinë. Ne duhet të kemi një qasje të mirë në ndeshjen e radhës dhe të tentojmë fitoren. Shpresoj që të kualifikohemi. Na duhet vetëm fitorja për të kaluar më tej”, vijoi ai.
Por, sa gjasa ka Kombëtarja të fitojë?
“Duke marrë parasysh se kemi luajtur shumë mirë në ndeshjen e fundit me Kroacinë, besoj do të futemi në fushë për të fituar, sepse vetëm ai rezultat na kualifikon”, tha Hoxha.
Sipas tij, tifozët në stadium janë shtysë e madhe dhe secili lojtar kishte motiv shtesë. “Synimi ishte të ndihmoja shokët e ekipit. Arritëm të shënonim golin e dytë dhe patëm mundësi të shënonim edhe të tretin”, tha sulmuesi sa i takon ndeshjes me Kroacinë.
“Kam dy shokë te Dinamo e Zagrebit, Baturina dhe Petkoviq. Fola me ta pas ndeshjes dhe më uruan për paraqitjen time të mirë”, pohoi ai.
Ai tha se anë shumë lojtarë të mirë të Spanjës e një ndër më të mirët është Rodri por edhe Williams, anësor i majtë.
“Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% maksimumin. Spanja është një ekipi që luan me topin dhe e posedon shumë mirë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë. Nga ndeshja në ndeshje ne jemi paraqitur më mirë. Besoj që në ndeshjen me Kroacinë kemi luajtur më mirë se me Italinë. Kemi sulmuar dhe krijuar më shumë”, tha sulmuesi i Kombëtares.