Sylvinjo: Mezi presim të luajmë kundër Spanjës.

Kombëtarja kuq e zi ka kryer seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Spanjën dhe mbrëmë është nisur drejt Dyseldorfit.

Ndeshja e sotme e cila pritet të zhvillohet nga ora 21:00 do të jetë vendimtare për kualifikimin historik të Shqipërisë, për të cilën kjo është paraqitja e dytë në një Evropian pas atij në vitin 2016.

Spanja tashmë ka siguruar raundin e dytë eliminator pasi ka gjashtë pikë në krye të tabelës, por Shqipëria do të përpiqet të shkruajë historinë me një fitore të bujshme.

Për kuqezinjtë fitorja është zgjidhja e vetme, por kjo varet edhe nga epilogu i ndeshjes tjetër në grupin B, e cila po ashtu zhvillohet nga 21:00 ndërmjet Italisë, e dyta në grup me tri pikë dhe Kroacisë, e fundit me një pikë.

Trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës Berat Gjimshiti para takimit kanë treguar pritjet që kanë për këtë sfidë, që e konsideruan si mjaft vendimtare.

Silvinjo vlerësoi kundërshtarin duke e konsideruar edhe si një nga skuadrat favorite për të fituar Evropianin, por theksoi se Shqipëria ka shanset e saj dhe do të kërkojë maksimumin për të tentuar kualifikimin.

“Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Ka disa lojtarë shumë të shpejtë në krahë dhe qendër. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës”, tha ai.

Ai shtoi do të japin gjithçka në këtë ndeshje dhe do të futen në fushë për të bërë më të mirën.

Nga ana tjetër, kapiteni Berat Gjimshiti tha se Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë djemtë janë gati për të dhënë më të mirën e për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.

“Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në garë dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën”, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë