Tirana e Beşiktaşi sonte ndeshen në stadiumin "Air Albania".     /Foto: AA

Ekipi i Beşiktaşit nga Istanbuli sonte ndeshet me skuadrën bardhë e kaltër të Tiranës në stadiumin "Air Albania" në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Konferencës.

Trajneri i Beşiktaşit Şenol Güneş, në konferencën për mediat për ndeshjen Tirana - Beşiktaş tha se shpreson që ndeshja kthyese përsëri të jetë në favorin e tyre.

"Ndihem shumë mirë që jam në Tiranë. E vlerësoj skuadrën e Tiranës. Ne e njohim Tiranën nga ndeshja e parë, e cila ka lojtarë të mirë dhe zhvillon një lojë që të vë në vështirësi. Shpresoj që ndeshja e nesërme të jetë përsëri në favorin tonë", tha Güneş.

Ai theksoi se kanë ardhur në Tiranë për të marrë atë rezultat që pretendojnë për të arritur kualifikimin.

Kapiteni i Beşiktaşit, Necip Uysal, në konferencën për mediat me trajnerin Güneş, duke theksuar se Tirana është një kundërshtar që nuk është i lehtë, tha se shpresojnë që ndeshjen e nesërme ta fitojnë.

"Unë do të jem i gatshëm të luaj aty ku trajneri mendon që unë jap më të mirën time. Jam gjithmonë i gatshëm t’i shërbej skuadrës dhe të jap maksimumin për të arritur atë që ne kërkojmë në ndeshje me Tiranën", u shpreh Uysal.

Ndërkohë, në Stadiumin "Air Albania" në Tiranë është mbajtur edhe seanca e fundit stërvitore e ekipit të Beşiktaşit.

TRT Balkan / agjencitë