Përfaqësuesi anglez Jude Bellingham është lojtar i ri i Real Madridit, këtë e kanë konfirmuar sot zyrtarisht nga “klubi mbretëror”.
“Një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit botëror, mesfushori që vjen në klubin tonë nga Borussia Dortmund, mbërrin në Madrid pasi u votua si lojtari më i mirë në Bundesligë për sezonin 2022/23. Ky 19-vjeçar tashmë është titullar i rregullt në kombëtaren e Anglisë”, kanë thënë ata në faqen e klubit.
Sipas raportimeve të mediave, Reali i ka paguar klubit gjerman një dëmshpërblim prej 103 milionë euro dhe nëse plotësohen bonuse të caktuara, kjo shumë mund të rritet deri në 134 milionë euro. Bellingham nënshkroi një kontratë gjashtëvjeçare me Realin.
Bellingham i bashkohet skuadrës së Carlo Ancelottit pas tri sezonesh në Gjermani. Në fanellën e Borussia Dortmund, ai luajti 132 ndeshje konkurruese dhe shënoi 24 gola. Bellingham më parë ka luajtur për Birmingham City.
Ndonëse është vetëm 19 vjeç, ai ka bërë 24 paraqitje për kombëtaren e Anglisë duke shënuar një gol.