Boja e zhvilluar nga kimisti Yücel Kaynar nga qyteti turk i Samsunit, si rezultat i punës 9-vjeçare siguron mbrojtje kundër zjarreve deri në 1500 gradë.
Kaynar përfundoi punën e tij për formulën e "bojës rezistente ndaj zjarrit", të cilën e filloi 9 vjet më parë në Qendrën e Zhvillimit të Teknologjisë në Samsun (TEKNOPARK).
Në një deklaratë për Anadolu, Kaynar shpjegon se bojën e kanë emërtuar "Nanoperl", ndërsa tregoi se po punojnë për prodhimin e bojës rezistente, veçanërisht për mbrojtjen e strukturave prej druri nga zjarri dhe të ftohtët.
"Njerëzit përdorin struktura prej druri, sepse ato reduktojnë rrezikun e tërmeteve dhe ofrojnë një pamje më të bukur. Disavantazhi më i madh i kësaj është se ato janë shumë të ndjeshme ndaj zjarrit. Ne kemi përshpejtuar përpjekjet tona për ta parandaluar këtë", tha Kaynar.
Asnjë lëndë toksike si tymi, gazi ose dioksidi i karbonit nuk lirohet nga boja
Ai shpjegon se si rezultat i studimit të tyre, produkti që ata zhvilluan ishte me bazë uji dhe i përbërë nga substanca inorganike.
"Të gjitha materialet që kemi përdorur në produkt janë lëndë të para vendase. Në studimet tona eksperimentale, ne arritëm deri në temperatura 1.000 gradë dhe nuk kishte asnjë efekt në strukturën prej druri. Sepse një nga parimet e punës së produktit tonë është që kur bëhet fjalë për temperatura të larta, pra kur tejkalon 300 gradë, krijon një barrierë që pengon transmetimin e nxehtësisë në pjesën e drurit", u shpreh ai.
Kaynar theksoi se gjatë zhvillimit të produktit kanë kryer studime eksperimentale me mijëra lëndë të para të ndryshme.
Sipas tij, kjo bojë mund të përdoret edhe në struktura të ndryshme përveç atyre të drurit. "Mund të përdoret gjithashtu në dronë të armatosur dhe të paarmatosur, automjete ushtarake, fabrika, përforcime çeliku, dysheme betoni, llamarina, xham, qeramikë dhe çati. Boja që përdorim mund të tolerojë lehtësisht 1500 gradë. Parandalon humbjen e jetëve pasi nuk shkakton asnjë problem si lëshim gazi, rrjedhje, derdhje apo largim nga mjedisi", theksoi Kaynar.