Delegacioni turk kërkon zgjidhje të shpejtë për gjenocidin.    /Foto: AA

Seanca paraprake për çështjen e Afrikës së Jugut në GjND, ku akuzohet Izraeli për shkelje të Konventës së Gjenocidit me veprimet e tij në Gaza, u zhvillua të premten në Hagë.

Delegacioni turk i kryesuar nga Cuneyt Yuksel, kryetar i Komisionit Parlamentar të Drejtësisë dhe deputet i AK Partisë në Istanbul, ishte i pranishëm në Hagë për të monitoruar gjykimin.

Pas gjyqit, Yuksel trajtoi krizën humanitare në Gaza, duke deklaruar se Izraeli, "autori i kësaj tragjedie, vijon me veprimet e tij pa turp".

"Si Türkiye, autoritetet tona dhe shoqëria civile nuk do të jenë kurrë bashkëpunëtorë në këtë shtypje", u shpreh ai.

Yuksel shprehu pritshmërinë se rezultati i çështjes në GjND do të sillte lehtësim në ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar.

Armëpushimi mbi të gjitha

"Ne mirëpresim kërkesën e bërë nga Republika e Afrikës së Jugut në GjND. Në emër të popullit turk, ne përsërisim mbështetjen tonë për këtë proces. Shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë të këtij procesi dhe që drejtësia të mbizotërojë", tha Yuksel.

Duke theksuar nevojën për masat e përkohshme të Gjykatës, për të siguruar një armëpushim mbi të gjitha, ai kërkoi lehtësimin e ndihmës humanitare "të pakushtëzuar, të papenguar dhe të rregullt" shumë të nevojshme për Gazën.

"Është bërë edhe një herë evidente se arritja e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë nuk është e mundur pa një zgjidhje të drejtë politike të çështjes palestineze. Prandaj, pritshmëria jonë themelore është që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa urgjent dhe konkret drejt vendosjes së paqes", theksoi ai.

"Turkiye është e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive në të gjitha përpjekjet që çojnë drejt një zgjidhjeje dhe gjithashtu është e gatshme të marrë një rol garantues në zbatimin e çdo marrëveshjeje përfundimtare," shtoi ai.

Në mesin e delegacionit turk ishte edhe Ismail Emrah Karayel, President i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Türkiye.

Karayel përcolli se Türkiye do të jetë gjithmonë ndjekëse e procesit në raste të tilla për të garantuar drejtësi, për të ndëshkuar autorët dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme kundër atyre që janë përgjegjës.

Ai theksoi se dështimi për të hetuar dhe ndëshkuar krimet e Izraelit është një situatë e papranueshme dhe bëri thirrje që Gjykata të marrë masa të përkohshme për të zbutur tragjedinë në Gaza, duke theksuar se Türkiye do të monitorojë gjithashtu zbatimin e këtyre masave.

Të enjten, ditën e parë të gjyqit, pala e Afrikës së Jugut paraqiti akuzat e saj kundër Izraelit në GjND së bashku me arsyet dhe provat mbështetëse.

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Amsterdam, Vusimuzi Madonsela, lexoi nëntë masat e përkohshme që vendi i tij kërkoi nga Gjykata kundër Izraelit.

Përfaqësuesit ligjorë për Afrikën e Jugut në gjyq e akuzuan Izraelin për "veprime të qëllimshme kundër banorëve të Gazës, duke vërtetuar qëllimin gjenocidial".

AA