Erdoğan kërkon vëmendjen e botës për krimet e Izraelit në Gaza /  Foto: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar përpjekjet e fuqishme të Türkiyes për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën ndaj keqbërjeve të Izraelit në mbi katër muajt e konfliktit të Gazës.

"Ne po bëjmë përpjekje intensive për të siguruar që abuzimet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës së Izraelit të mos anashkalohen në skenën ndërkombëtare", tha presidenti Erdoğan në adresimin e tij përmes video-mesazhit në Asamblenë e 5-të të Përgjithshme të Forumit Rinor të Bashkëpunimit Islamik.

Përveç kësaj, presidenti turk ripohoi angazhimin e Türkiyes për të mbështetur krijimin e një shteti të pavarur palestinez sovran të njohur në mbarë botën.

"Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa të themelohet një shtet palestinez i pavarur, territorialisht integral, bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin si kryeqytet", tha ai.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 27.585 palestinezë dhe duke plagosur rreth 66.700 të tjerë.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

TRT Balkan / agjencitë