Fidan: Në rrezik siguria e palestinezëve dhe e rajonit, jo e Izraelit / Photo: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Turkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se nuk është Izraeli ai të cilit i kërcënohet siguria, por janë palestinezët dhe vendet e rajonit.

Shefi i diplomacisë turke sot në Aman u takua me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi.

Fidan dhe Safadi diskutuan një sërë temash dypalëshe dhe rajonale me theks në sulmet izraelite në Rripin e Gazës dhe tensionet në rritje në kufirin Jordani-Izrael.

“Absolutisht është e papranueshme që Izraeli të përpiqet të legjitimojë sulmet e tij ndaj Palestinës nën maskën e argumenteve të pretenduara të sigurisë. Ajo që Izraeli po bën me pretendimin se mbron sigurinë e vet nuk është gjë tjetër veçse ekspansionizëm dhe pushtim”, tha Fidan.

Fidan gjithashtu theksoi se zgjerimi i territorit izraelit pas çdo lufte dhe krize është dëshmia më konkrete për pretendimet e tij.

“Me aktivitetet e tij pushtuese të vendbanimeve, Izraeli po vjedh tokën e palestinezëve në Bregun Perëndimor. Duke folur hapur, nuk është Izraeli siguria e të cilit është në rrezik, përkundrazi, janë palestinezët dhe vendet e rajonit. E gjithë bota duhet ta shohë këtë të vërtetë”, tha Fidan.

Duke komentuar tensionet në rritje në marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Iranit, Fidan tha se Turkiye po i ndjek nga afër dhe me shqetësim këto zhvillime.

Ai tha se sot ka biseduar në telefon me homologun e tij pakistanez dhe atë iranian.

“Ata sqaruan qëndrimet e tyre dhe dhanë arsyet për veprimet e tyre. Ne si Türkiye rekomanduam që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm të problemit dhe që paqja të sigurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Të dyja palët thanë se nuk duan që tensionet të përshkallëzohen. Shpresoj që incidentet të mos përshkallëzohen më tej mes dy vendeve vëllazërore”, tha Fidan.

Ai njoftoi se Türkiye do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ulur tensionet midis Pakistanit dhe Iranit.

AA