Presidenti i Türkiyes dhe ai i Azerbajxhanit takohen në Baku për bisedime.     /Foto: AA

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev priti të martën liderin turk Recep Tayyip Erdoğan me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Baku.

Erdoğan mbërriti të hënën (12 qershor) në Azerbajxhan pas vizitës së tij në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC) si pjesë e turneut të tij të parë jashtë vendit pas rizgjedhjes së 28 majit.

Udhëheqësit në fjalë do të diskutojnë hapat për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit midis Türkiyes dhe Azerbajxhanit dhe do të shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Udhëheqësit do të mbajnë gjithashtu një konferencë të përbashkët shtypi.

Përpara takimit, Erdoğan bëri homazhe te varri i ish-presidentit Haydar Aliyev dhe te varrezat e dëshmorëve turq dhe azerbajxhanas.

Erdoğan gjatë ditës pritet të vizitojë edhe Qendrën e Komandës Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit.


TRT Balkan / agjencitë