Türkiye tërheq ambasadorin e saj nga Izraeli      /Foto: AA Archive

Ministria e Jashtme e Türkiyes nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se tërheq ambasadorin, Şakir Özkan Torunlar nga Tel Avivi për konsultime në lidhje me "refuzimin e thirrjeve të Izraelit për armëpushim dhe sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve" në Gaza.

"Duke pasur parasysh tragjedinë humanitare në Gaza, të shkaktuar nga sulmet e vazhdueshme të Izraelit kundër civilëve, dhe refuzimin e Izraelit ndaj thirrjeve për armëpushim dhe rrjedhën e vazhdueshme dhe të papenguar të ndihmave humanitare, u vendos që të tërhiqet ambasadori ynë në Tel Aviv, Şakir Özkan Torunlar, në Ankara për konsultime", thuhet në njoftomin e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.

Kujtojmë që ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Gaza duke vrarë mbi 9.061 palestinezë, përfshirë civil dhe fëmijë. Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët në Gaza për shkak të rrethimit izraelit.

TRT Balkan / agjencitë