Ne i kushtojmë rëndësi të madhe vendosjes së paqes në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe dënojmë fuqishëm humbjen e jetëve të civilëve, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiyes në lidhje me sulmet e Hamasit nga Rripi i Gazës i bllokuar ndaj Izraelit.
Në një deklaratë të ministrisë, theksohet se dhuna dhe tensionet në Izrael dhe Palestinë janë pritur me shqetësim të thellë.
“Ne i kushtojmë rëndësi të madhe vendosjes së paqes në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe dënojmë fuqishëm humbjen e jetëve të civilëve”, theksohet në deklaratë.
Ankaraja thekson se aktet e dhunës dhe përshkallëzimi i tyre nuk do të përfitojnë askënd dhe u bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin hapat impulsivë.
“Si Türkiye, ne jemi gjithmonë të gatshëm të kontribuojmë sa më shumë që të mundemi për të siguruar që ngjarjet të mund të vihen nën kontroll përpara se ato të përshkallëzohen dhe të përhapen në një zonë më të gjerë. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë kontaktet intensive me palët përkatëse. Zhvillimi i trishtuar tregon edhe një herë rëndësinë e vizionit të zgjidhjes me dy shtete. U bëjmë thirrje palëve që të heqin dorë nga përdorimi i forcës dhe pa vonesa të mëtejshme të punojnë për një zgjidhje të përhershme në përputhje me këtë vizion”, thuhet në deklaratë.
Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, njoftuan këtë mëngjes se nisën një operacion gjithëpërfshirës të quajtur "Stuhia e Aksa-së" kundër Izraelit dhe se mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit dhe se grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.
Ushtria izraelite njoftoi gjithashtu se kishte kryer një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet izraelite në Gazën e bllokuar, 198 persona u vranë dhe 1610 u plagosën, njoftoi të shtunën Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Nga ana izraelite, të paktën 100 njerëz vdiqën dhe më shumë se 1000 u plagosën.