Türkiye periudhës së fundit ka qenë shënjestër e disa fushatave dezinformuese në rrjete sociale që krijuan 'hashtags' për të përhapur panik gjatë tërmeteve të 6 shkurtit dhe lajme të rreme që prishnin përpjekjet e ndihmës dhe shpëtimit gjatë zjarreve të vitit 2021.
Përderisa votimi i rëndësishëm i 14 majit është vetëm pak ditë larg, zyrtarët dhe votuesit turq janë të shqetësuar për manipulimet e rrjeteve sociale që ndikojnë në zgjedhje.
Tashmë ka pasur shenja që sugjerojnë se shqetësime të tilla nuk janë të kota.
Një fushatë e fundit e lajmeve të rreme në lidhje me shëndetin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan krijoi konfuzion dhe ajo u qetësua vetëm pas një deklarate zyrtare nga Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.
Për më tepër, mediat lokale të lajmeve kanë raportuar për zbulimin e gjashtë "rrjeteve troll" të përbërë nga 121 profile të rreme që punojnë në emër të partisë opozitare turke CHP.
Këto ushtri trollash janë akuzuar jo vetëm për përhapjen e dezinformatave, por edhe për nxitjen e urrejtjes kundër grupeve etnike, ndërsa në të njëjtën kohë manipulojnë perceptimin në lidhje me integritetin e kutisë së votimit.
Llogaritë e rrjeteve sociale po shpërndanin vazhdimisht postimet e njëri-tjetrit, duke marrë më shumë ndërveprim dhe duke arritur tek audienca më e madhe.
Llogaritë në rrjete sociale ndryshojnë periodikisht emrat e përdoruesve dhe konceptet e përmbajtjes për t'u siguruar që ato të mos kufizohen në një lloj audiencë të vetme dhe të shpërndahen në gjithë rrjetin. Pra, rrjetet arrijnë në struktura të ndryshme demografike. Llogaritë e trolleve që reklamojnë kompani të ndryshme gjithashtu shpesh bashkëpunojnë me faqet ilegale të basteve. Me zgjedhjet duke qenë në prag, manipulimi i rrjeteve sociale paraqet një kërcënim legjitim dhe meriton të monitorohet nga afër.
Rritja e rrjeteve sociale
Rritja e rrjeteve sociale ka çuar në mundësi të reja dhe sfida më të mëdha në komunikim, veçanërisht në shpërndarjen e lajmeve.
Ajo ka shkaktuar gjithashtu ndërhyrje të huaja që synojnë të ndikojnë në opinionin e brendshëm. Disa shembuj të spikatur të ndikimit në zgjedhje mund të gjenden në rastet e Shteteve të Bashkuara, të Kenisë dhe të referendumit të Brexit-it.
Ajo vë në pikëpyetje rolin e "teknologjisë së madhe".
Publikimi i "Twitter Files" tregon se si këta lojtarë kryesorë të teknologjisë mund të ndikojnë në një proces zgjedhor duke shtypur dhe censuruar postimet, duke ndaluar përdoruesit dhe duke moderuar përmbajtjen e njëanshme.
Ushtritë e trolleve të përbëra nga profile të rreme të mediave sociale mund të nisin shpejt fushata dezinformuese dhe të ngacmojnë përdoruesit e synuar të rrjeteve sociale.
Firma e analitikës së të dhënave Cambridge Analytica u akuzua për grumbullimin e profileve në Facebook të miliona votuesve amerikanë dhe ndërtimin e programeve softuerike për të ndikuar në zgjedhjet e tyre në kutinë e votimit gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në ShBA.
Këtë e pranoi edhe shefi i Meta Platforms, Mark Zuckerberg.
"Është bërë gjithashtu e qartë gjatë dy viteve të fundit se ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të parandaluar që këto mjete të përdoren gjithashtu për dëm", tha ai.
"Kjo vlen për lajmet e rreme, ndërhyrjen e huaj në zgjedhje dhe zhvilluesit që keqpërdorin informacionin e njerëzve."