Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë njoftoi se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e BeH-së - entitetit Republika Sërpska (RS) do të ishte antikushtetues dhe kundër Dejtonit dhe do t'i privonte votuesit e RS-së nga të drejtat themelore demokratike, të garantuara atyre me Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës.
“Çdo zgjedhje e zhvilluar sipas sistemit zgjedhor paralel antikushtetues nuk do të kishte legjitimitet dhe ata që marrin pjesë në organizimin e tyre do të angazhoheshin në aktivitete antidemokratike, antikushtetuese dhe anti-Dejton. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të qartë se janë të gatshëm t'u përgjigjen veprimeve anti-Dayton të aktorëve vendas, dhe se mbështesin veprimet e përfaqësuesit të lartë për të bërë të njëjtën gjë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Ata shtojnë se presidenti i RS Milorad Dodik "e ka gabim nëse mendon se ShBA-ja do të qëndrojë pranë, ndërsa ai zbaton agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnjën e Hercegovinën drejt konfliktit."
"Çdo përpjekje për t'u shkëputur nga entiteti a ndonjë njësi tjetër nënshtetërore është një veprim anti-Dejton që nuk do të tolerohet. Republika Sërpska është entitet - pjesë e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Është pjesë integrale e shtetit, por as Republika Sërpska dhe as Federata nuk ekzistojnë jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës nuk i jep të drejtën entitetit a ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t'u shkëputur” - thuhet në deklaratë.