Avokatë të Afrikës së Jugut do të padisin ShBA-në dhe Britaninë për Gazën / Foto: AA

Pasi Afrika e Jugut ngriti një çështje kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për gjenocid në Gaza, rreth 50 avokatë të vendit po përgatisin një padi tjetër kundër qeverisë së ShBA-së dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar me arsyetimin se janë bashkëpunëtorë në krimet e luftës së forcave izraelite në Palestinë.

Nisma, e udhëhequr nga avokati afrikano-jugor, Wikus Van Rensburg, synon të ndjekë penalisht ata që janë bashkëfajtorë në krim në gjykatat civile në bashkëpunim me avokatët nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, me të cilët ai tashmë është në kontakt.

Rensburg, i cili javët e fundit u shkruan letra vendeve të ndryshme dhe GjND-së duke kërkuar që Izraeli dhe mbështetësit e tij të ndiqen penalisht, me mbështetjen e kolegëve të tij ka nisur përgatitjet për të ngritur një padi kundër dy vendeve.

“ShBA-ja tani duhet të mbajë përgjegjësi për krimet që ka kryer”, tha Rensburg në një intervistë për Anadolu, duke dhënë detaje për procesin me të cilin Uashingtoni dhe Londra do të gjykohen si bashkëpunëtorë në krimet e luftës së Tel Avivit kundër popullit të Gazës.

“Çështja e GjND-së do të na udhëzojë”

Rensburg tha se kur u tha njerëzve rreth tij për ngritjen e një padie, ai mori shumë mbështetje.

“Shumë avokatë vendosën të bashkohen me ne në padi. Shumë nga ata që janë bashkuar janë myslimanë, por unë nuk jam. Ata ndihen të detyruar të ndihmojnë këtë kauzë, por besoj se ajo që po ndodh është e gabuar”, tha Rensburg.

Ai theksoi se ajo që ndodhi në Irak është një shembull i kësaj, duke shtuar më tej se askush nuk e mbajti përgjegjës ShBA-në për krimet që ajo kreu në vendin e Lindjes së Mesme pasi çështjes nuk iu dha rëndësia e nevojshme.

Por, tani, tha Rensburg, njerëzit besojnë se ajo që po ndodh në Palestinë është një skenar ideal për procesin ligjor që do të kryhet.

“ShBA-ja është e zënë duke shpenzuar më shumë para dhe më shumë burime për (t’i lejuar Izraelit) të kryejë krimin. Askush nuk thotë ndal, mjaft është mjaft”, theksoi ai.

Sipas tij, çështja e gjenocidit e ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GjND do të shërbejë si një udhëzues për çështjen e tyre kundër ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe se ata do të fillojnë procesin bazuar në rezultatin e çështjes dhe në hapat që do të ndërmerren nga Kombet e Bashkuara (OKB).

“ShBA-ja tani duhet të mbahet përgjegjëse”

Nëse gjykimi i GjND-së kundër Izraelit përfundon në favor të Afrikës së Jugut, Rensburg beson se ShBA-ja mund të përballet me sanksione edhe nëse nuk e pranon verdiktin. Ai shtoi se vendimi i GjND-së gjithashtu do të konsolidojë një çështje kundër administratës së presidentit Joe Biden.

Më tej, Rensburg tha se ai dhe kolegët e tij në Afrikën e Jugut po bëjnë përgatitje duke kontaktuar kompanitë ligjore në ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Duke kujtuar se Berlini ende po paguan edhe sot dëmshpërblimin për krimin e gjenocidit të kryer nga Gjermania, Rensburg tha se, “ShBA-ja tani duhet të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer. Ajo duhet të pranojë përgjegjësitë e saj”.

Duke theksuar se çështje të ngjashme në vitet 2000 u ngritën kundër ish-presidentit të ShBA-së, George Bush, Rensburg tha se ata besojnë se mund ta kryenin me sukses procesin ligjor jashtë vendit duke punuar si ekip.

Javën e kaluar, grupi i avokatëve, i cili tashmë është rritur në 47, i shkroi një letër të hapur drejtuesve të qeverive të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke deklaruar se ata nuk mund të shmangin përgjegjësinë.

AA