Një balonë kineze e lartësisë së madhe me qëllime spiunazhi është zbuluar në hapësirën ajrore të ShBA-së, njoftuan autoritetet amerikane. Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali i brigadës Pat Ryder, tha se baloni fluturon mbi hapësirën e fluturimeve komerciale dhe aktualisht nuk përbën rrezik për njerëzit.
“Po vazhdojmë ta monitorojmë nga afër. Balona aktualisht po udhëton në lartësi mbi hapësirën komerciale ajrore dhe nuk përbën rrezik ushtarak ose fizik ndaj njerëzve”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Megjithatë, shqetësimet e zyrtarëve për spiunazh arritën deri te presidenti Joe Biden. Për momentin, autoritetet kanë vendosur të mos e godasin balonën, për shkak të rrezikut që pjesëza të bien mbi vendbanime civile. Por, janë marrë masa për mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme nga spiunazhi i mundshëm.
“Pasi u detektua balona, qeveria e ShBA-së veproi për të mbrojtur mbledhjen e të dhënave të ndjeshme”, tha Ryder.
Balona u detektua edhe nga vëzhgues civilë mbi shtetin amerikan Montana.
Zëdhënësi i Pentagonit tha se aktivitete të ngjashme janë detektuar disa here gjatë viteve të kaluara.