Biden fajëson udhëtimet për performancën e dobët në debatin presidencial / Foto: AA

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ia atribuoi performancën e tij të dobët në debatin e parë të transmetuar drejtpërdrejt me rivalin e tij Donald Trump para zgjedhjeve presidenciale në nëntor, udhëtimeve të tij të shumta.

Në fjalimin e tij në ngjarjen e mbledhjes së fondeve të mbajtur në Virginia, Biden dha deklarata në lidhje me diskutimet lidhur me debatin presidencial të mbajtur në natën e 27 qershorit.

Duke theksuar se ai udhëtoi shumë para debatit me kundërshtarin e tij Trump dhe se kjo nuk ishte një gjë "e zgjuar", Biden tha: "Ky nuk është një justifikim, vetëm një shpjegim".

Biden ia atribuoi performancën e tij të dobët në debat udhëtimeve të tij të fundit dhe "jet-lag"-ut që përjetoi si rezultat. "Unë nuk e dëgjova stafin tim. Për pak më zuri gjumi në skenë", tha ai.

Shtëpia e Bardhë: I kuptojmë shqetësimet

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në deklaratën për gazetarët tha se presidenti Biden ishte i ftohur ditën e debatit, ndaj zëri i tij ishte i ngjirur.

"I kuptojmë shqetësimet. Presidenti nuk kaloi një mbrëmje të mirë në debat", tha ajo.

Në garë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor në ShBA, Biden i Partisë Demokratike dhe rivali i tij republikani Trump u përballën në debatin e parë të transmetimit të drejtpërdrejtë në CNN, natën e 27 qershorit.

Gjatë kandidaturës së tij për mandatin e dytë, Biden nuk arriti të demonstronte një performancë që do të qetësonte shqetësimet në lidhje me moshën e tij dhe iu nënshtrua kritikave të forta pas debatit. Gjithashtu, pati thirrje nga Partia Demokratike dhe disa organizata mediatike që mbështesin Bidenin që presidenti të tërhiqet nga zgjedhjet presidenciale.

Nga ana tjetër, Biden pranoi se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte si më parë, duke theksuar se ishte ende alternativa më e mirë kundër Trumpit dhe njoftoi se nuk do të tërhiqej nga gara.

AA