Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën se rindërtimi i Los Anxhelosit pas zjarreve shkatërruese do të kushtojë dhjetëra miliarda dollarë.
“Megjithëse qeveria federale do të mbulojë 100% të kostos për 180 ditët e ardhshme për gjëra të tilla si pagesa jashtë orarit të zjarrfikësve, heqja e mbeturinave dhe strehimoret e përkohshme, do të kushtojë dhjetëra miliarda dollarë për ta kthyer Los Anxhelosin atje ku ishte”, tha Biden në një konferencë me zyrtarët e urgjencës.
Ai tha se Kongresi do të duhet ta rrisë angazhimin për të siguruar financim për të ndihmuar ata që janë prekur nga zjarret e egra.
Të paktën 24 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i zjarreve të shumta të martën e kaluar dhe më shumë se 12.000 struktura duke përfshirë shtëpi, biznese dhe shtëpi kulti janë bërë hi.
Më shumë se 40.000 hektarë janë djegur nga zjarret Eaton, Palisades, Kenneth dhe Hurst, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni.
Ndërkohë që po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve, Biden tha se zjarrfikësit shtetërorë, lokalë dhe federalë ishin në gjendje të parandalonin që zjarret më të mëdha të lëviznin në zona të reja.
Presidenti tha se njerëzit e prekur nga zjarret do të marrin një pagesë të njëherëshme prej 770 dollarësh.
"Deritani, pothuajse 6.000 mbijetues kanë regjistruar për të bërë pikërisht këtë. Dhe 5,1 milionë dollarë janë shpërndarë. Dhe inkurajoj të gjithë, të gjithë ata që janë prekur, të marrin ndihmën," tha ai, duke u betuar se do të bëjë "çdo gjë të mundshme" për të ndihmuar banorët e Los Anxhelosit të kalojnë këtë katastrofë.