Biden: Taksat e Trumpit ndaj Meksikës, Kinës e Kanadasë, gabim i madh       /Foto: AA

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka kritikuar planin e presidentit të zgjedhur të vendit, Donald Trump, për vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave nga Meksika, Kina dhe Kanadaja, duke i përshkruar ato si një "gabim të madh".

Duke folur në ‘Institutin Brookings’ me bazë në ShBA, Biden theksoi përpjekjet e administratës së tij për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Derisa mandatit të tij 4-vjeçar i afrohet fundit muajin e ardhshëm, Biden pretendoi se shumica e ekonomistëve pajtohen se administrata e ardhshme amerikane do të trashëgojë një ekonomi të fortë.

Biden tha se transformimi i ekonomisë ka shtruar një bazë të fuqishme për një rritje të qëndrueshme dhe me produktivitet të lartë, duke shprehur shpresën që administrata e re ta ruajë atë dhe ta ndërtojë këtë progres.

"Besoj se ekonominë që po e lë për momentin është ekonomia më e mirë, ekonomia më e fuqishme në botë", tha Biden.

Trump, i bindur për vendosjen e tarifave për mallrat e importuara, u kritikua nga Biden, i cili e quajti qasjen e presidentit të ardhshëm të ShBA-së një "gabim të madh".

"I lutem Zotit që presidenti i zgjedhur ta hedhë tutje Projektin 2025", tha Biden, duke iu referuar planit të detajuar për ta bërë realitet një listë të gjatë me prioritete të ekstremit të djathtë.

Gjatë fushatës zgjedhore para fitores së tij muajin e kaluar, Trump shprehu përkrahje për një rritje të konsiderueshme të tarifave, veçanërisht për importet kineze. Ai paralajmëroi planet për vendosjen e një tarife prej 60 për qind ndaj mallrave kineze dhe një tarifë 10 deri në 20 për qind për importet nga vendet e tjera.

Megjithëse ai pretendonte se vendet eksportuese do t'i paguanin këto tarifa të rritura, ekonomistët thanë se në fakt konsumatorët do të përfundonin duke paguar tarifa më të lartë, gjë që sipas tyre do të çojnë në çmime më të larta dhe inflacion.

TRT Balkan / agjencitë