Danezët e shohin ShBA-në si kërcënim, 78% refuzojnë shitjen e Grenlandës /             Foto: AA

Më shumë se gjysma e danezëve tani e shohin ShBA-në si një kërcënim të rëndësishëm për vendin e tyre, ndërsa shumica dërrmuese refuzojnë blerjen e Grenlandës nga ShBA-ja, sipas një sondazhi të ri të YouGov të ndarë ekskluzivisht me The Guardian.

Një sondazh me 1.000 danezë, i kryer midis 15 dhe 22 janarit, zbuloi se 46% e konsideronin ShBA-në ose si "një kërcënim shumë të madh" ose "një kërcënim mjaft të madh" për Danimarkën, pas pretendimeve të Presidentit të SHBA Donald Trump se synon të blejë territorin e Grenlandës.

Kjo përqindje tejkalon shqetësimet për Korenë e Veriut (44%) dhe Iranin (40%), por mbetet dukshëm më e ulët se perceptimet për Rusinë, të cilën 86% e të anketuarve e identifikuan si kërcënim.

Grenlanda, një territor nën sovranitetin danez që nga viti 1953, ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.

Trump e ka përshkruar më parë zotërimin e Grenlandës si një "domosdoshmëri absolute" për sigurinë ekonomike të ShBA-së, duke e krahasuar blerjen me një "marrëveshje të madhe të pasurive të paluajtshme".

Sipas sondazhit të YouGov, 78% e danezëve refuzojnë shitjen e Grenlandës në ShBA, megjithëse 72% besojnë se vendimi përfundimisht duhet t'i mbetet Grenlandës dhe jo Danimarkës.

Financial Times raportoi javën e kaluar se kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe Trump u angazhuan në një telefonatë të tensionuar 45-minutëshe për këtë çështje, duke i lënë zyrtarët në Kopenhagë të shqetësuar thellësisht.

Trump së pari hodhi idenë e blerjes së Grenlandës gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, një ide që Danimarka e hodhi poshtë plotësisht. Megjithatë, kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ka ringjallur frikën e një shtytjeje më agresive për të siguruar kontrollin mbi kombin ishull.

AA