Deklarata e Ankarasë: Somalia e Etiopia afirmojnë unitetin e njëra-tjetrës       / Foto: AA

Somalia dhe Etiopia afirmuan sovranitetin, unitetin dhe pavarësinë e njëra-tjetrës në një deklaratë të përbashkët, tha Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri etiopian Abiy Ahmed dhe presidenti somalez Hassan Sheikh Mohamud mbajtën mbrëmë një konferencë shtypi në kryeqytetin turk Ankara për të njoftuar një marrëveshje të arritur gjatë bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Türkiye.

Drejtoria e Komunikimeve publikoi Deklaratën e Ankarasë në X, duke thënë se “takimi, i zhvilluar në një atmosferë të përzemërt, mundësoi një diskutim të sinqertë dhe konstruktiv”.

“Udhëheqësit e Somalisë dhe Etiopisë riafirmuan respektin dhe përkushtimin e tyre ndaj sovranitetit, unitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të njëra-tjetrës, si dhe parimeve të mishëruara në të drejtën ndërkombëtare, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Aktin Konstituiv të Bashkimit Afrikan”, shtoi ajo.

“Ata ranë dakord, brenda frymës së miqësisë dhe respektit të ndërsjellë, të heqin dorë dhe të lënë pas dallimet dhe çështjet e diskutueshme dhe të ecin përpara në një mënyrë bashkëpunuese për të ndjekur prosperitetin e përbashkët”, thuhet në deklaratë.

Somalia pranoi sakrificat e ushtarëve etiopianë në misionet e Bashkimit Afrikan, shtoi ajo.

“Ata pranuan përfitimet potencialisht të ndryshme që mund të nxirren nga qasja e sigurt e Etiopisë drejt dhe nga deti, duke respektuar integritetin territorial të Republikës Federale të Somalisë”, thekson deklarata.

Palët vendosën gjithashtu të fillojnë negociatat teknike me ndërmjetësimin e Türkiyes deri në fund të shkurtit 2025 dhe t’i përfundojnë ato brenda katër muajve.

“Ata ranë dakord më tej të punojnë ngushtë së bashku për të finalizuar marrëveshjet tregtare me përfitim reciprok përmes marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë kontratat, qiratë dhe modalitete të ngjashme, të cilat do të lejojnë Republikën Federale Demokratike të Etiopisë të gëzojë akses të besueshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm drejt dhe nga deti, nën autoritetin sovran të Republikës Federale të Somalisë”, thuhet më tej.

Palët kanë mirëpritur ndihmën e Türkiyes në zbatimin e këtyre angazhimeve dhe janë zotuar “të zgjidhin çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e tyre përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore me mbështetjen e Türkiyes, sipas nevojës”.

Të dyja palët kanë falënderuar presidentin Erdoğan për iniciativën dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit, thuhet në deklaratë.

TRT Balkan / agjencitë