Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, nga partia Republikane në ShBA, ka fituar me lehtësi mandatin e dytë si guvernator në një prej garave me më shumë vëmendje në zgjedhjet e masmandatit të martën në ShBA.
Kandidati republikan fitoi 59.4% të votave, me një dallim historik prej 20% të votës së përgjithshme ndaj kundërkandidatit demokrat Charlie Crist. Për guvernatorin aktual votuan 4.6 milionë qytetarë të Floridas, ndërsa për demokratin Crist 3.1 milionë. Në zgjedhjet e fundit për guvernator në vitin 2018, rezultati në Florida ishte tepër i ngushtë dhe duhej rinumërim për të konfirmuar fitoren e DeSantis ndaj kundërkandidatit demokrat me vetëm 0.4% dallim.
Florida historikisht nga viti 1900 ka votuar më shumë demokratët, por nga viti 2000 e këndej votoi 4 herë kandidatët republikanë dhe dy herë kandidatët demokratë, konkretisht presidentin Obama në dy mandatet. Por, rezultati gjithmonë qe i ngushtë me dallim njëshifror.
Përmes Floridës në Shtëpinë e Bardhë
Zgjedhjet në Florida ishin në interes të veçantë për opinionin amerikan dhe botëror, për shkak se tashmë një kohë përflitet mundësia që pikërisht Ron DeSantis mund të jetë një prej kandidatëve të partisë Republikane në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA.
Edhe pse nuk ka paraqitur akoma zyrtarisht kandidaturën, DeSantis mund të shfrytëzojë momentumin e krijuar me fitoren e thellë në Florida për të bërë hapin drejt zyrtarizimit të ambicies së tij për president.
“Guvernatori Ron DeSantis fitoi rajonet latine, historikisht përkrahës të Demokratëve, në rrugën e tij drejt fitores së madhe që mund t’i shërbejë si pikënisje për kandidaturën presidenciale në vitin 2024”, shkruan CNN pas “skuqjes” së hartës së Floridas në zgjedhjet e së martës.
Donald Trump, pengesa e parë
Ish-presidenti Donald Trump ka paralajmëruar guvernatorin e Floridas Ron DeSantis të mos kandidojë për president në vitin 2024, pasi kjo do t’i bënte keq partisë Republikane.
“Nuk e di nëse do të kandidojë. Mendoj se nëse kandidon, do t’i bëjë vetes shumë keq. Vërtet besoj se do t’i bëjë vetes shumë keq”, tha Trump duke paralajmëruar se do të publikojë informacione të pakëndshme për 44-vjeçarin nëse vendos të kandidojë për president, pa dhënë më shumë detaje.
Trump, njashtu si DeSantis, pritet të zyrtarizojë garimin për kandidat të Republikanëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA. Të dy mund të përballen në një garë brendarepublikane për të fituar kandidaturën.
Trump paralajmëroi një “lajm të madh” për më 15 nëntor, që shumëkush parashikon të jetë zyrtarizimi i kandidaturës së tij për president.
Nga ushtria në politikë – kush është Ron DeSantis
Ron DeSantis është relativisht i ri në politikë. I rritur nga prindër italianë, ai u shkollua në universitetet Yale dhe Harward ku kreu juridikun.
Në vitin 2004 DeSantis iu bashkua marinës amerikane, ndërsa shërbeu edhe në Irak në vitet 2007-2008.
Në vitin 2012 garoi për kongresmen në Dhomën e Përfaqësuesve nën flamurin republikan dhe fitoi në distriktin e 9-të të Floridas. Pas mandatit si kongresmen, në 2018 garon dhe fiton garën për guvernator të Floridas.
Ai u përfol shumë për politikat e tij gjatë pandemisë së Covid-19. DeSantis refuzoi të vendosë kufizime, përfshirë obligimin për mbajtjen e maskave, urdhërat për qëndrim në shtëpi dhe domosdoshmërinë e dëshmimit të vaksinimit kundër Covid. Në maj të vitit 2021, ai nënshkroi një ligj që ndalonte bizneset, shkollat, anijet turistike dhe institucionet qeveritare që t’u kërkonin qytetarëve dëshmi vaksinimi.