Dua Lipa kritike ndaj Britanisë, në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë.   / Foto: AA

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Dua Lipa, kritikoi komentet e zyrtarëve të qeverisë britanike për emigrantët, duke i vlerësuar ata si dritëshkurtër dhe të kufizuar.

Ylli i muzikës Lipa, dhe fituese e Grammy, e cila ka lindur nga prindër shqiptarë të Kosovës, shprehu "dhimbjen" personale të shkaktuar nga mënyra se si qeveria ka diskutuar për shqiptarët dhe bëri thirrje për ndjeshmëri më të madhe.

Në një intervistë për "Sunday Times", Lipa paralajmëroi se retorika e tillë ka ndikim negativ.

Ajo theksoi se gjithmonë ka besuar se Londra është një qytet ku takohen kultura të ndryshme, që është pjesë përbërëse e identitetit të qytetit.

"Pra, kur dëgjon qeverinë që flet për shqiptarët, për shembull, të dhemb. Është dritëshkurtër dhe e kufizuar, por kjo është mënyra se si shumë njerëz mendojnë. Sido që të përpiqemi të ndryshojmë retorikën, gjithmonë do të ketë nga ata që mendojnë se: 'Emigrantët vijnë në vend dhe gjejnë punë'", tha Dua Lipa.

Siç tha ajo, emigrantët që kanë ardhur në Londër e fituan mbijetesën e tyre me një punë jashtëzakonisht të vështirë.

"Duhet të ketë më shumë ndjeshmëri, sepse njerëzit nuk largohen nga vendi i tyre nëse nuk kanë nevojë, pra nga nevoja, nga frika për familjen e tyre", tha Dua Lipa.

Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, tetorin e kaluar, gjatë një debati në Dhomën e Komunave i quajti "shqiptarët kriminelë", duke iu referuar me një "pushtim" të Britanisë nëpërmjet varkave të vogla që kalonin Kanalin Anglez.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur gjithashtu reagim të ashpër për shënjestrimin "jashtëzakonisht të turpshëm" të shqiptarëve nga ministrat e qeverisë britanike, me theks të veçantë për Braverman.

TRT Balkan / agjencitë