FBI hetime për tentativën ndaj Trumpit, akt i mundshëm i terrorizmit vendas / Photo: AA

Byroja Federale e Hetimeve e ShBA-së (FBI) deklaroi se është në hetim e sipër për tentativën për vrasje ndaj ish-presidentit Donald Trump gjatë një mitingu në Pensilvani si një "akt të mundshëm të terrorizmit vendas", teksa vuri në dukje se autori kishte vepruar i vetëm.

Robert Wells, ndihmësdrejtori ekzekutiv i Degës së Sigurisë Kombëtare të FBI-së, u tha gazetarëve se në këtë pikë të hetimit autori duket se ka vepruar individualisht, por sipas tij ka ende shumë hetime për të bërë.

I dyshuari është identifikuar si Thomas Matthew Crooks, një 20-vjeçar nga Pensilvania.

"Ne po e hetojmë këtë si një tentativë për vrasje, por gjithashtu e shohim si një akt të mundshëm terrorizmi vendas", theksoi ai, duke shtuar: "Pra, divizioni ynë kundër terrorizmit dhe divizionet tona kriminale po punojnë së bashku për të përcaktuar motivin".

Ndërkohë, agjenti special i FBI-së, Kevin Rojek, tha se arma e përdorur në atentatin ishte një "pushkë 556 e stilit AR", e cila ishte blerë legalisht.

Crooks u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Sekret pasi ai hapi zjarr nga ajo që sipas agjencisë ishte një pozicion i ngritur jashtë fushës ku Trump po iu drejtohej mbështetësve të tij përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Autoritetet ende nuk e kanë përcaktuar motivin e të shtënave.

Presidenti Joe Biden tha se i ka udhëzuar zyrtarët të sigurojnë që hetimi të jetë "i plotë dhe i shpejtë" dhe se hetuesit "kanë çdo burim që u nevojitet për ta bërë këtë".

AA