Franca kaloi një të martë të vështirë me mijëra punonjës që kundërshtojnë planin e qeverisë për reformën e pensioneve.
Demonstratat mbarëkombëtare u mbajtën në kryeqytetin Paris dhe në qytete të tjera për të gjashtën herë që nga janari, pasi plani shkaktoi zemërim publik kur u njoftua vitin e kaluar.
Sipas të përditshmes ‘Le Figaro’, Konfederata e Përgjithshme e Punës numëroi 3,5 milionë demonstrues në rrugë në gjithë Francën, përfshirë 700 mijë në Paris, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme regjistroi 1,28 milion njerëz që morën pjesë në protesta.
Senati ende është duke debatuar mbi projektligjin dhe afati i fundit është 12 marsi.
Sindikatat kanë caktuar ditë të reja mobilizimi më 11 dhe 15 mars. Sipas mediave lokale, ata gjithashtu bënë thirrje për mobilizimin e grave për sonte dhe të rinjve gjatë ditës së nesërme, duke kërkuar që "të priten urgjentisht" në takim nga presidenti Emmanuel Macron.
Punëtorët janë në grevë në disa sektorë, veçanërisht ata në transportin publik.
Ministri francez i Transportit, Clement Beaune, për transmetuesin ‘LCI’ tha se ndërprerjet e trafikut do të vazhdojnë deri të premten. Ai shtoi se trafiku ajror do të mbetet pothuajse i ndërprerë.
Punëtorët e kompanisë kombëtare hekurudhore ‘SNCF’, si dhe kolegët e tyre në operatorin rajonal të transportit të Parisit ‘RATP’ vendosën të zgjasin grevën edhe gjatë ditës së sotme.
Punëtorët e rafinerisë së naftës kanë zgjatur gjithashtu grevën, duke bllokuar transferimin e karburantit në stacione.
Zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran, për transmetuesin ‘RTL’ në përgjigje të sindikatave tha se "dyert e qeverisë janë më se të hapura për sindikatat".
Planet e reformës, që shkaktuan zemërimin publik, përfshijnë rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjet në vitin 2030 dhe kërkojnë të paktën 43 vjet punë për t’u kualifikuar për pensione të plota.