Grupet e fermerëve francezë të premten bënë thirrje për protesta mbarëkombëtare muajin e ardhshëm për t’i trajtuar çështjet e të ardhurave dhe çmimeve në sektorin bujqësor.
Demonstratat do ta shënojnë fazën përfundimtare të një fushate më të gjerë që i synon marrëveshjet tregtare, thjeshtimin administrativ dhe të ardhurat e fermerëve, raportoi Le Monde.
Arnaud Rousseau, kreu i Federatës Kombëtare të Sindikatave të Bujqësisë (FNSEA), shpalli veprimet e planifikuara për datat 9-10 dhjetor, duke theksuar nevojën për t’i nxjerrë në pah diferencat në të ardhura dhe negociatat e çmimeve me distributorët në fillim të sezonit të marrëdhënieve komerciale.
"Ne do të ndërmarrim veprime në gjithë vendin për të fokusuar në të ardhurat dhe marrëdhënien me çmimet e produkteve tona. Qëllimi ynë është ta mbyllim këtë cikël protestash me një takim me kryeministrin," tha Rousseau në radio RMC.
Sindikatat bujqësore po kërkojnë rezultate konkrete, me Rousseau që e thekson nevojën për rezultate të prekshme nga bisedimet e tyre me zyrtarët qeveritarë.
Nga ana tjetër, Ministrja e Bujqësisë e Francës, Annie Genevard, është e programuar të takohet me FNSEA, Bujqit e Rinjtë (JA), dhe sindikata të tjera bujqësore, përfshirë Lëvizjen e Mbrojtjes së Bujqve dhe Koordinatën Rurale.
Diskutimet do të përqendrohen në masat për ta lehtësuar barrën administrative për bujqit, sipas Ministrisë së Bujqësisë.
Bisedimet midis Bashkimit Europian dhe bllokut tregtar të Amerikës Latine, Mercosur, për një marrëveshje tregtare të lirë nisën që në vitin 2000 dhe kaluan në faza të ndërprera.
Palët ranë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin çështje të tilla si tarifat, rregullat e origjinës, barrierat teknike për tregtinë dhe pronësinë intelektuale, ndër të tjera.
Bashkimi Europian dhe Mercosuri kishin planifikuar të ulënin tarifat e larta për produktet bujqësore, si dhe vendet e Mercosur do të mund të shisnin lehtësisht produkte nga mishi në BE.
Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua, nuk u ratifikua dhe kurrë nuk hyri në fuqi.
Bujqit francezë argumentojnë se marrëveshja BE-Mercosur është pjesë e një tendence më të gjerë që kërcënon jetesën e zonave rurale në Francë.