Ndërsa TikTok përballet me një mbyllje të mundshme në ShBA, që pritet të hyjë në fuqi këtë fundjavë, shumë përdorues po kalojnë te aplikacioni kinez i rrjeteve sociale RedNote (Xiaohongshu) si një alternativë.
Gjykata e Lartë e ShBA-së aktualisht po shqyrton nëse duhet ta ndalojë TikTokun ose të urdhërojë shitjen e tij në një kompani amerikane për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare, siç kërkohet nga një ligj i miratuar vitin e kaluar.
Si përgjigje, disa përdorues të TikTokut në ShBA kanë nisur të përdorin RedNote, një platformë tjetër popullore kineze me rreth 300 milionë përdorues globalisht.
Kjo lëvizje ka çuar në mbi 160.000 postime nën hashtagun #tiktokrefugee, ndërsa RedNote është bërë aplikacioni më i shkarkuar në App Store të ShBA-së këtë javë.
Përdoruesit kinezë mirëpritën këtë rritje të numrit të përdoruesve, ndërsa disa u përfshinë në shkëmbime të lehta dhe argëtuese me përdoruesit amerikanë lidhur me preferencat gjuhësore.
Ligji që kufizon aktivitetet e TikTokut në ShBA pritet të hyjë në fuqi të dielën, nëse kompania mëmë, ByteDance, nuk transferon pronësinë ose nuk shpëtohet nga një vendim i minutës së fundit.
Masat e propozuara synojnë t’i adresojnë shqetësimet mbi sigurinë kombëtare lidhur me shpërndarjen e mundshme të të dhënave me autoritetet kineze, një pretendim që ByteDance e mohon.
Presidenti i ardhshëm Donald Trump, i cili pritet të marrë detyrën të hënën, kundërshton ndalimin dhe i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të bëjë një shqyrtim emergjent të masës.
Gjatë mandatit të tij të parë si president në vitet 2017-2021, Trump kishte mbështetur ndalimin e TikTokut, por marsin e kaluar ndryshoi mendim pasi u takua me Jeff Yass, një mbështetës i kandidaturës së tij presidenciale dhe investitor në platformën e njohur të videove të shkurtra.