Gaza, 12 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite gjatë natës / Photo: AA

Të paktën 12 palestinezë mbetën të vrarë nga sulmet e avionëve luftarakë izraelitë përgjatë natës në rajonet qendrore të Rripit të Gazës.

Personat që humbën jetën në sulmet e kryera ndaj kampit të refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës u dërguan në spitalin Dëshmorët e Aksasë në Deir Al-Balah, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.

Sipas të dhënave paraprake, në sulmin ku u shënjestrua shtëpia e familjes palestineze "Al-Sous" në kampin e refugjatëve Al-Bureij humbën jetën 8 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë dhe 3 gra.

Ndërkohë, si pasojë e bombardimit të avionëve luftarakë izraelitë ndaj familjes "Al-Hour" në kampin e refugjatëve Al-Bureij, 4 persona të tjerë humbën jetën.

Gjithashtu, thuhet se ka të vdekur dhe të plagosur edhe nga shënjestrimi i një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në veri të kampit të refugjatëve Nusseirat që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, në një deklaratë të bërë dje, njoftoi se në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 36.224 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra, ndërsa janë plagosur 81.777 palestinezë të tjerë.

AA