Gjermania kritikon planin e Gazës së pasluftës të Netanyahut       / Foto: AA

Gjermania ka kritikuar ashpër planin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të shpalosur së fundmi për Gazën e pasluftës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sebastian Fischer, tha se gjetja e zgjidhjes për rendin e pasluftës së Gazës duhet të përfshijë të gjitha palët përkatëse, mbi të gjitha Autoritetin Palestinez dhe vendet fqinje arabe.

“Versioni aktual i planit kërkon kontroll të pacaktuar të sigurisë nga Izraeli mbi të gjithë zonën në perëndim të Jordanisë, duke përfshirë Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, gjithashtu Zonën A të administruar nga Autoriteti Palestinez, si dhe plani refuzon në mënyrë eksplicite një zgjidhje me dy shtete”, tha Fischer në një konferencë për media në Berlin.

“Nëse zbatohet, plani do të ishte i papajtueshëm me udhëzimet e G7-shit dhe gjithashtu do të shkelte Marrëveshjet e Oslos në lidhje me Bregun Perëndimor. Për ne është e qartë se siguria afatgjate për Izraelin mund të arrihet vetëm nëse garantohet siguria dhe të drejtat e palestinezëve”, shtoi ai.

Fischer tha se gjatë takimit të tyre në Tokio nëntorin e kaluar, grupi G7 i demokracive kryesore industriale përcaktoi një udhëzues për një rend pas konfliktit në Gaza, i cili përjashtonte ripushtimin e Gazës nga Izraeli.

“Sipas kësaj, Gaza nuk duhet të përbëjë më një kërcënim për Izraelin, por përfshin gjithashtu se nuk duhet të ketë pushtim të përhershëm apo zvogëlim të përmasave të territorit të Gazës”, tha ai.

Fischer përsëriti se Gjermania vazhdon të mbrojë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

“Çdo plan që e injoron këtë nuk do të krijojë paqe dhe pa një shtet palestinez nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, as për Izraelin, as për izraelitët dhe as për palestinezët”, theksoi ai.

TRT Balkan / agjencitë