Gjykata e Lartë e Moldavisë përfshin në kushtetutë integrimin në BE.    /Foto: AA

Gjykata e Lartë e Moldavisë ka vendosur ta përfshijë në kushtetutë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) pas pothuajse dy javësh pasi vendi në një referendum votoi për ta ndryshuar dokumentin. Më 20 tetor, moldavët votuan në një referendum, si rezultat i të cilët doli një votë e ngushtë "pro" për të përfshirë në kushtetutë rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.

Votimi u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet presidenciale, në të cilat presidentja aktuale, Maia Sandu, e konsideruar si properëndimore, kërkoi një mandat të dytë në detyrë.

Sandu siguroi më pak se 50 për qind të votave, duke i hapur rrugë një raundi të dytë të zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor.

"Moldavia ndërmerr një hap historik pasi sot Gjykata Kushtetuese vendosi ta përfshijë në kushtetutë integrimin e vendit në BE, duke reflektuar vullnetin e popullit në referendumin e fundit", shkroi Sandu në rrjetet sociale.

Sipas saj, "kjo fitore u përket qytetarëve, të cilët kanë zgjedhur një të ardhme të ankoruar në paqe dhe prosperitet".

Referendumi dhe zgjedhjet presidenciale u karakterizuan me akuza për ndikim të jashtëm, veçanërisht nga Sandu e cila akuzoi "grupet kriminale", të cilat, siç tha ajo, punojnë me "forcat e huaja armiqësore ndaj interesave tona kombëtare" duke u përpjekur ta mbajë vendin "të bllokuar në pasiguri dhe paqëndrueshmëri".

"Ne kemi prova të qarta se këto grupe kriminale synonin të blejnë 300 mijë vota, një mashtrim i një shkalle të paprecedentë. Objektivi i tyre ishte të minojnë procesin demokratik. Qëllimi i tyre është të përhapin frikë dhe panik në shoqëri", theksoi ajo.

Duke i hedhur poshtë akuzat, zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, tha se ata duhet të sigurojnë prova për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale në Moldavi.

TRT Balkan / agjencitë