Hamasi: Izraeli kundërshton armëpushimin në Rripin e Gazës / Foto: AA

Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Osama al-Hamdan, tha se Izraeli po kundërshton me këmbëngulje marrëveshjet e propozuara që kanë paraqitur për një armëpushim të mundshëm dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në Rripin e Gazës.

Al-Hamdan foli për AA-në në zyrën e Hamasit në Bejrut për mosmarrëveshjet mes Hamasit dhe Izraelit në kuadër të arritjes së draftit të marrëveshjes për armëpushimin.

“Para së gjithash, ne këmbëngulim për një armëpushim të plotë, që është një çështje shumë e rëndësishme për ne, domethënë tërheqja e plotë (e ushtarëve izraelitë) nga Gaza dhe heqja e bllokadës në Gaza. Izraeli, nga ana tjetër, i kundërshton me këmbëngulje këto propozime”, tha Al-Hamdan.

Duke iu drejtuar çështjeve për të cilat Izraeli insiston, Al-Hamdan tha:

"Izraeli dëshiron të vazhdojë sulmet e tij në Gaza. Ata nuk duan një armëpushim dhe nuk janë të gatshëm të heqin bllokadën. Kjo është mosmarrëveshja më e madhe."

Ai shtoi se ndërmjetësit janë duke punuar intensivisht për projektmarrëveshjen dhe theksoi se është e nevojshme të garantohet se do të përmbushen të gjitha kushtet e Hamasit.

"Ne kërkojmë lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. Kjo do të ndodhë përfundimisht," është i bindur Al-Hamdan.

I pyetur se cili mund të jetë skenari më i keq nëse nuk arrihet një armëpushim, zyrtari i Hamasit përfundoi:

"Unë nuk dua të flas për ndonjë skenar tjetër përveç fakteve në terren. Ne po punojmë drejt një armëpushimi të plotë dhe kjo përfundimisht do të arrihet."

AA