Grupi i rezistencës palestineze Hamas akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për bllokimin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.
“Ndërsa Hamasi ka treguar fleksibilitet në arritjen e një marrëveshjeje për të ndaluar agresionin izraelit, Netanyahu po ngre gjithnjë e më shumë pengesa për negociatat, duke përshkallëzuar agresionin dhe krimet e tij kundër popullit tonë dhe duke intensifikuar përpjekjet e tij për t'i zhvendosur me forcë ata në mënyrë që të pengojë të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje”, thuhet në njoftimin e Hamasit.
Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve që të ndërhyjnë për t'i dhënë fund "manipulimeve dhe krimeve të Netanyahut" dhe që komuniteti ndërkombëtar dhe OKB-ja të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare për të ndaluar "krimin e gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza".
Drejtori i CIA-s, William Burns dhe kreu i shërbimit të sigurisë izraelite Shin Bet, Ronen Bar, mbërritën dje në Egjipt për të diskutuar një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve midis Tel Avivit dhe Hamasit.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar muaj të tërë negociatash për shkëmbimin e të burgosurve dhe marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, por deri më tani ato nuk kanë dhënë fryte.
Në sulmet izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar në Rripin e Gazës, rreth 38.200 palestinezë u vranë dhe më shumë se 87.900 të tjerë u plagosën.
Në më shumë se tetë muaj të sulmeve izraelite, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes bllokadave të rënda të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.