Hamasi: Nuk ka marrëveshje për pengjet pa armëpushim të plotë / Foto: AA

Grupi palestinez i rezistencës Hamas theksoi të hënën se do të pranojë një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin vetëm nëse bie dakord për një armëpushim të plotë dhe hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

"Rikthimi i pengjeve izraelite (në vendet e tyre) ka tri kosto. E para, sigurimin e ndihmave për popullin tonë dhe kthimin në normalitet të jetës. E dyta, ndalimi i sulmeve (kundër Rripit të Gazës). E treta, një shkëmbim i vërtetë i pengjeve i cili do të sigurojë lirimin e 10 mijë të burgosurve tanë në burgjet izraelite", tha Al-Hayya.

Ai tha se Izraeli, i akuzuar për gjenocid, refuzon të tërhiqet nga Gaza dhe nuk lejon që palestinezët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi propozimin e Hamasit për një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve si një "mashtrim".

"Deri më tani, (Izraeli) nuk ka dhënë garanci se do të mbërrijnë ndihma të mjaftueshme, se spitalet, furrat e bukës dhe infrastruktura do të riparohen. Izraeli nuk ka dhënë as miratim të hapur dhe të qartë për strehimin në tenda. Pra, për cilën çështje do të biem dakord? Izraeli përpiqet të ndryshojë të vërtetën duke pretenduar se kërkesat e Hamasit janë të mëdha ose duke thënë gjëra të tjera", tha Al-Hayya duke shtuar se Izraeli po përpiqet të zgjasë luftën me "gënjeshtra dhe shpresa të paarritshme".

Sipas një burimi palestinez, më 7 shkurt, Hamasi propozoi një plan trefazor për një armëpushim në Gaza që përfshin një pauzë 135-ditore në luftime në këmbim të lirimit të pengjeve.

Marrëveshja origjinale kornizë u përpunua në takimin e muajit të kaluar të zyrtarëve të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti në Paris.

Izraeli beson se 134 izraelitë janë të bllokuar në Gaza.

Që nga 7 tetori, 29.092 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.

Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda vendit dhe po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

TRT Balkan / agjencitë