Hamasi pret që vendimi i GjND-së të ndalojë sulmet e Izraelit në Gaza. / Photo: AA

Grupi palestinez i rezistencës Hamasi njoftoi se pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) në Hagë të lëshojë një urdhër gjykate për të ndaluar menjëherë sulmet vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës.

Në Tribunalin e Hagës sot filloi seanca në lidhje me padinë e ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut më 29 dhjetor, e cila akuzon Izraelin për gjenocid në Rripin e Gazës.

"Shpresojmë se gjykata do të japë një vendim që i shërben drejtësisë dhe kërkon përgjegjësi për krimet izraelite të luftës", tha anëtari i Hamasit, Bassem Naem.

Në nëntor, Republika e Afrikës së Jugut ndërpreu marrëdhëniet me Izraelin, si përgjigje ndaj sulmeve të shtuara nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës.

Të paktën 23.357 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori, ku shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra, ndërsa 59.410 njerëz u plagosën. Rreth 85 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur në mes të një prej krizave më të mëdha humanitare.

TRT Balkan / agjencitë