Sot është shansi juaj i fundit për të ndikuar në zgjedhje, tha kandidatja demokrate Kamala Harris, e cila votoi më herët.
Ajo theksoi se votuesit duhet të jenë të vendosur.
“Sot është dita e votimit dhe njerëzit duhet të dalin dhe të jenë aktivë. I inkurajoj të gjithë të dalin dhe të votojnë", tha ajo, duke vënë në dukje se këto zgjedhje janë një pikë kthese pasi votuesit vendosin për dy "vizione shumë të ndryshme për të ardhmen e kombit.”
Në ShBA po zhvillohen zgjedhjet presidenciale ku qytetarët vendosin mes kandidates demokrate Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump. FBI-ja tha se kishte disa kërcënime të rreme me bomba në disa shtete. Një burrë u arrestua në Uashington.
Votuesit amerikanë vendosin nëse Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë apo nëse Amerika me Kamala Harrisin do të fitojë presidenten e parë grua. Gara presidenciale është e barabartë dhe rezultati do të varet nga votimi në shtetet “swing” që nuk janë tradicionalisht demokratë apo republikanë. Këto janë Arizona, Georgia, Miçigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Visconsin.
Sondazhet e opinionit publik pak para zgjedhjeve treguan se dy kandidatët në shtetet “swing” janë të barabartë, diferencat mes tyre janë brenda gabimit statistikor, ndaj është e vështirë të parashikohet se kur do të dihet se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në janar.