Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Argjentinës, Buenos Aires të mërkurën për të marshuar kundër inflacionit të lartë, pasi një sindikatë e njohur e punëtorëve paralajmëroi se kjo mund të jetë e para nga shumë protesta të tjera.
Qytetarët që morën pjesë në marshimin në Buenos Aires i kërkuan qeverisë të ndihmojë në mbrojtjen e pagave dhe fuqisë blerëse të tyre, të cilat janë goditur rëndë nga inflacioni dhe zhvlerësimi i monedhës pasi vlera e pesosit ka rënë.
Anëtarët e lëvizjeve punëtore dhe sociale marshuan nga monumenti i Obelisco de Buenos Aires drejt Kongresit nën sloganin "Atdheu është i pari".
Sindikata e Konfederatës së Përgjithshme të Punës (CGT), e cila përfaqëson kryesisht punonjësit e qeverisë, paralajmëroi se mund të jetë "i pari nga shumë mobilizimet" nëse kriza ekonomike vazhdon të godasë rëndë vendin.
"Inflacioni ka arritur nivele të patolerueshme që po gërryejnë fuqinë blerëse të punëtorëve dhe shumë nga përgjegjësia u takon sektorëve që përvetësuan fitime në një kohë të humbjeve të punëtorëve", thuhet në komunikatën e Sindikatës së Konfederatës së Përgjithshme të Punës (CGT).
Udhëheqja e CGT-së, e cila përbëhet nga Hector Daer, Pablo Moyano dhe Carlos Acuna, mbajti një konferencë shtypi, duke kërkuar që qeveria të marrë masa.
Daer kërkoi zgjidhje, dhe jo "një proces zhvlerësimi që do të varfëronte njerëzit dhe do të rriste masën e varfërisë strukturore".
Moyano pranoi se marshimi i së mërkurës mund të jetë i pari nga disa tubime nëse argjentinasit vazhdojnë të goditen rëndë nga rritja e çmimeve të ushqimit.
Acuna e përshkroi rritjen e kostove gjatë rënies ekonomike si "një garë që ne punëtorët po humbasim". Megjithatë, ai la vend për optimizëm, duke vënë në dukje se nëse pagat rifitojnë "fuqinë blerëse", kjo do të jetë për "të mirën e të gjithë vendit".
Facundo Moyano, një sindikalist dhe politikan që dha dorëheqjen nga koalicioni qeverisës Frente de Todos në gusht 2021, e përshkroi tubimin si një "thirrje paralajmëruese" për qeverinë.
Në Argjentinë, norma mujore e inflacionit ishte 7,4 për qind në korrik, që është niveli më i lartë në dy dekada.
Sipas INDEC, agjencia kombëtare e statistikave të Argjentinës, çmimet e konsumit u rritën 71 për qind vitin e kaluar.
18 Gus 2022
Inflacioni i lartë në Argjentinë, shkakton protesta në Buenos Aires
Sipas INDEC, agjencia kombëtare e statistikave të Argjentinës, çmimet e konsumit u rritën 71 për qind vitin e kaluar.
AA
Lajme të ngjashme
Qytetarët e nëntë shteteve të BE-së shënuan rënie të të hyrave
Pandemia e COVID-19 ndikoi në kushtet e jetesës në BE. Përveç ndryshimeve në të ardhura, ndryshime të tjera u përjetuan në arsim dhe në kushtet e punës, shëndetin/mirëqenien mendore të njerëzve dhe kushtet e përgjithshme të kujdesit shëndetësor.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore