Zyrtarët iranianë, në reagimin e tyre të parë që nga tentimi për vrasjen e shkrimtarit britaniko-amerikan me origjinë indiane Salman Rushdie, thanë se shkrimtari dhe mbështetësit e tij janë fajtorë për sulmin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, duke folur në një konferencë javore për media në Teheran, hodhi poshtë çdo lidhje midis sulmit ndaj autorit dhe Iranit.
Ai tha se "askush nuk ka të drejtë" të akuzojë Iranin për orkestrimin e sulmit ndaj Rushdie, i cili aktualisht po shërohet në një spital pasi u godit me thikë në skenë në një ngjarje në New York, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Autori 75-vjeçar ka jetuar nën kërcënim për shkak të romanit të tij të vitit 1988, "Vargjet Satanike" (The Satanic Verses), i cili bëri që lideri suprem i atëhershëm iranian Ayatollah Khomeini të lëshonte një dekret fetar kundër tij, duke bërë thirrje për vdekjen e tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se ata nuk dinë asgjë për sulmuesin, një banor nga New Jersey, përveç asaj që "kanë dëgjuar në mediat amerikane".
Ai më tej tha se Rushdie "kaloi vijën e kuqe të 1,5 miliard muslimanëve", si dhe feve të tjera hyjnore, duke bërë blasfemi kundër Profetit Muhamed.
"Liria e shprehjes nuk mund të justifikojë abuzimin me fetë hyjnore dhe parimet e tyre", tha Kanaani.
Ndërkaq, në një fjalim në Institutin Chautauqua, ku Salman Rushdie, autor i librit "Vargjet Satanike", u sulmua me thikë, guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, duke iu referuar lirisë së shprehjes, tha se "pena do të triumfojë gjithmonë mbi thikën".
15 Gus 2022
Irani mohon akuzat për sulmin ndaj autorit Salman Rushdie
Guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul tha se "pena do të triumfojë gjithmonë mbi thikën".
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Kryeprokurori i GjNP-së bën thirrje që të zbatohen urdhërarrestet
GjNP-ja nuk ka autoritet për të zbatuar mandatin e saj, por, teknikisht, secili nga 124 shtetet palë në Statutin e Romës duhet ta arrestojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin Galant dhe kreun e Hamasit, Mohamed Deif.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore