Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani paralajmëroi të martën se një letër e Izraelit drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të shërbejë si pretekst për të sulmuar vendin e tij.
Izraeli zbuloi të martën herët se i kishte dërguar një letër Këshillit të Sigurimit, duke kërkuar veprime të menjëhershme kundër grupeve që kryejnë sulme ndaj territorit të tij nga Iraku, duke theksuar “të drejtën e tij për vetëmbrojtje.”
“Mesazhi i dërguar nga entiteti sionist (Izraeli) në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përfaqëson një pretekst për agresion ndaj Irakut dhe përputhet me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të zgjeruar luftën në rajon,” deklaroi al Sudani në një deklaratë.
Ai theksoi kundërshtimin e Irakut ndaj këtyre kërcënimeve.
“Vendimet për luftë dhe paqe janë ekskluzivisht brenda autoritetit të shtetit irakian dhe asnjë palë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë të drejtë,” tha kryeministri irakian.
Kryeministri i Irakut rikonfirmoi pozicionin e vendit të tij për të qëndruar jashtë konflikteve, ndërsa mbështet përpjekjet humanitare për popullin palestinez dhe libanez dhe kërkon përfundimin e luftërave në Gaza dhe Liban.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar më herët akuzoi grupet e mbështetura nga Irani në Irak për kryerjen e sulmeve ndaj Izraelit.
“Mbrëmjen e sotme, kam dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku kam kërkuar veprime të menjëhershme lidhur me aktivitetin e milicive pro-iraniane në Irak, territori i të cilave po përdoret për të sulmuar Izraelin,” tha Sa’ar në X (ish-Twitter).
Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit “të veprojë urgjentisht për të siguruar që qeveria irakiane të përmbushë detyrimet e saj, sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe për t’i dhënë fund këtyre sulmeve ndaj Izraelit.”
Letra izraelite nënvizon atë që Iraku e konsideron standard të dyfishtë, pasi Tel Avivi ka injoruar Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit, miratuar në mars, e cila kërkon përfundimin e luftës izraelite në Gaza.
Grupet e armatosura të mbështetura nga Irani në Irak kanë nisur dronë ndaj objektivave izraelite në përgjigje të luftërave të vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe Liban.