Izraeli njofton ShBA-në se synon zgjerimin e sulmeve tokësore në Rafah / Photo: AA

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant i ka bërë të ditur këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, se ata synojnë të zgjerojnë sulmin tokësor në Rafah, në jug të Rripit të Gazës.

Sullivan, i cili vazhdoi kontaktet në Tel Aviv, u takua me Gallant dhe me shefin e shtabit Herzi Halevi dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë, tha Ministria e Mbrojtjes e Izraelit në një kumtesë.

Gallant i dha Sullivanit informacion mbi sulmet në Gaza, si dhe përpjekjet për të kthyer 128 të burgosur izraelitë.

Duke i thënë Sullivanit se ata synojnë të zgjerojnë sulmin tokësor që nisën në Rafah më 7 maj, Gallant tha se "Izraeli ka një detyrim moral të çmontojë administrativisht dhe ushtarakisht Hamasin dhe të sigurojë kthimin e të burgosurve nga Gaza".

Gallant gjithashtu vuri në dukje se ekziston rreziku i një përshkallëzimi të tensioneve të vazhdueshme me Hezbollahun në kufirin libanez.

Pas takimit me Gallant dhe Halevi, Sullivan u takua gjithashtu me anëtarin e kabinetit të luftës Benny Gantz dhe ish-shefin e shtabit Gadi Eisenkot, raportoi The Times of Israel.

Sullivan pritet gjithashtu të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog gjatë një vizite dyditore në Tel Aviv.

TRT Balkan / agjencitë