Joe Biden shpall kandidaturën e tij për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë / Foto: AA

Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

"Çdo brez kishte një moment kur ata duhej të ngriheshin për demokracinë. Të ngriheshin për liritë e tyre themelore. Unë besoj se ky është momenti ynë. Kjo është arsyeja pse unë po kandidoj përsëri për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkohuni me ne. Le ta bëjmë këtë”, shkroi Biden në Twitter.

Zgjedhjet për Presidentin e ShBA-së dhe shumicën e Kongresit Amerikan mbahen më 5 nëntor 2024.

Si anëtar i Partisë Demokratike, Biden shërbeu 36 vjet në Senatin e ShBA-së dhe tetë vjet si nënpresident i Barack Obamas.

Presidenti më i vjetër në historinë e vendit, Biden, do të mbushte 86 vjeç në fund të mandatit të tij të dytë.

Në zgjedhjet e vitit 2020, ai mundi kandidatin Republikan Donald Trump, i cili gjithashtu shpalli sërish kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Në ditën e zgjedhjeve 2024, Trump do të jetë 78 vjeç, po të njëjtën moshë sikur Biden kur u zgjodh president për herë të parë.

AA