Kanadaja paralajmëron përgjigje shumë të fortë nëse Trump vendos tarifë          / Foto: AA

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili së fundmi njoftoi dorëheqjen, tha se vendi i tij do të japë një “përgjigje shumë të fortë” nëse presidenti i ShBA-së Donald Trump vendos tarifë prej 25 për qind për mallrat kanadeze.

Duke folur në një konferencë për media në Quebec, Trudeau e përshkroi Trumpin si një “negociator të aftë”, duke shtuar se “nëse ka tarifa doganore, ne jemi të përgatitur të përgjigjemi dhe të mbrojmë interesat kanadeze, por do të qëndrojmë të palëkundur në këto kohë pasigurie”.

Trudeau tha se nëse ekonomia amerikane do të përjetonte “bumin” e parashikuar nga Trump, do të kishte nevojë për më shumë energji, çelik dhe minerale kritike, dhe për këtë arsye më shumë nga produktet që Kanadaja u shet Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kontekst, Trudeau deklaroi se i gjithë fokusi i tyre është në parandalimin e vendosjes së detyrimeve doganore ndaj Kanadasë.

“Nëse ata marrin masa për tarifën doganore, përgjigja jonë do të jetë e shpejtë, e matur, por shumë e fortë”, shtoi ai.

Ndryshe, në ditën e parë në detyrë, Trump tha se po shqyrtojnë një tarifë doganore prej 25 për qind për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja.

“Unë mendoj se do ta zbatojmë atë më 1 shkurt”, tha Trump.

Trudeau njoftoi më 6 janar se do të japë dorëheqjen nga rolet e tij si lider partie dhe kryeministër pasi Partia Liberale në pushtet të zgjedhë një lider të ri.

TRT Balkan / agjencitë