Kina njoftoi të martën se po ndalon eksportin e galiumit, germaniumit, antimonit dhe materialeve të tjera kyçe të teknologjisë së lartë me aplikime të mundshme ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi vendimin pasi Uashingtoni zgjeroi listën e kompanive kineze që i nënshtrohen kontrolleve të eksportit për pajisjet për prodhimin e çipave kompjuterikë, softuerëve dhe çipave memorie me gjerësi të lartë. Çipa të tillë janë të nevojshëm për aplikacione të avancuara.
Pekini u ka kërkuar më parë eksportuesve që të aplikojnë për leje për të dërguar materiale me rëndësi strategjike si galium në ShBA.
Nga 140 kompanitë e përfshira së fundmi në të ashtuquajturën “lista e entiteteve” amerikane, pothuajse të gjitha ndodhen në Kinë, ndërsa disa kompani me pronësi kineze janë të vendosura në Japoni, Korenë e Jugut dhe Singapor.
Ministria e Tregtisë e Kinës protestoi, duke thënë se do të vepronte për t’i mbrojtur "të drejtat dhe interesat" e Kinës.