Komiteti i kuvendit turk miraton aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO      / Foto: AA

Legjislacioni që i jep dritë jeshile pranimit të Suedisë në NATO është miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme i parlamentit turk, me çka mbetet vetëm votimi përfundimtar në Asamblenë e Përgjithshme për të dhënë ose mohuar miratimin e plotë të Türkiyes.

Para votimit kryesor, zv/ministri i Punëve të Jashtme, Burak Akçapar, informoi komitetin mbi procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe ligjvënësit mbështetën propozimin.

Në muajin tetor, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nënshkroi protokollin e pranimit të Suedisë në NATO dhe e dorëzoi atë në parlament.

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, përshëndeti masën e komitetit parlamentar turk.

“Ne mirëpresim miratimin e aplikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO në Komitetin e Punëve të Jashtme në Türkiye. Hapi tjetër do të jetë votimi i parlamentit për këtë çështje. Ne mezi presim të bëhemi anëtar të NATO-s”, shkroi Billstrom në platformën sociale X.

Finlanda dhe Suedia, të dyja vendet nordike, aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në muajin mars, Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës në aleancë, por tha se ishte duke pritur që Suedia të respektojë memorandumin trepalësh të qershorit të vitit 2022 për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë.

Anëtarësimi në NATO i një vendi të ri duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët aktualë të aleancës, përfshirë Türkiyen e cila është anëtare për më shumë se 70 vjet dhe është vendi i dytë me ushtrinë më të madhe në aleancë.

Hungaria është i vetmi anëtar i NATO-s, përveç Türkiyes, që nuk e ka miratuar ende aplikimin e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën.

AA