Macron e quan "të drejtë" lejen për Ukrainën mbi përdorimin e raketave /            Foto: AA

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ai e konsideron si "absolutisht të drejtë" vendimin e Uashingtonit në lidhje me lajmet se SHBA-ja ka dhënë leje që raketat me rreze të gjatë veprimi me të cilat ka furnizuar Ukrainën të përdoren në territorin rus.

Siç raporton transmetuesi publik francez "Franceinfo", Macron në deklaratën e tij për mediat në Brazil në kuadër të Samitit të Liderëve të G20-s, ka folur rreth dhënies së lejes së ShBA-së për Ukrainën për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus.

Macron deklaroi se ai e konsideron si "absolutisht të drejtë" vendimin e ShBA-së për të lejuar Ukrainën të përdorë këto raketa dhe mbrojti idenë se në luftën Rusi-Ukrainë është përjetuar një ndryshim serioz me mobilizimin e trupave të Koresë së Veriut në anën e Rusisë.

Ai thekson se Rusia është pala që përshkallëzon tensionet. "Siç dihet, ajo e bën këtë duke tërhequr Korenë e Veriut, e cila është një fuqi shumë agresive dhe zhvillon program bërthamor me raketa me rreze të gjatë veprimi. Kjo situatë është një pikë thyerje serioze në këtë luftë, e cila ndikoi në vendimin e ShBA-së", tha Macron.

Në konferencën e fundit për media, zëvendës-zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së (Pentagon), Sabrina Singh, nuk konfirmoi pretendimet në mediat amerikane se Uashingtoni ka dhënë leje që sistemet e saj raketore taktike me rreze të gjatë (ATACMS) që i ka dhënë Ukrainës, të përdoren në mënyrë të kufizuar në territorin rus.

AA