Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar qeverisë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rivendosur rendin në vend pas natës së pestë radhazi të trazirave të dhunshme të shkaktuara nga vrasja e një adoleshenti javën e kaluar nga policia.
Sipas BFMTV-së, Macron thirri një takim në Pallatin Elysee të dielën, ku përfshihej kryeministrja Elisabeth Borne, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin dhe disa ministra të tjerë për të trajtuar situatën e vazhdueshme në vend.
Gjatë takimit, ai u kërkoi ministrave “të vazhdojnë të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të rivendosur rendin dhe për të garantuar kthimin e qetësisë”.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e nisjes së një hetimi gjithëpërfshirës për të kuptuar më thellë situatën në zhvillim.
Më shumë siguri e vendosur
Macron do të takohet me Presidentin e Asamblesë Kombëtare Franceze Yael Braun-Pivet dhe Presidentin e Senatit Gerard Larcher të hënën, pas një tubimi me 220 kryebashkiakë të prekur nga protestat në Pallatin Elysee të martën.
Ndërkohë, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë vendosur automjete të blinduara në qendër të qytetit të Marsejës për të ndërmarrë hapa kundër mundësisë së ripërtëritjes së protestave.
Njësitë speciale të policisë janë gjithashtu në detyrë në Lion pas netëve të tensionuara të protestave në qytet.
Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan një grup aktivistësh të së djathtës ekstreme duke marshuar nëpër rrugët e Lionit, duke brohoritur slogane të tilla si “Franca u përket francezëve”.
Protestat mbarëkombëtare për vrasjen e Nahel M., një adoleshent 17-vjeçare me origjinë algjeriane, vazhdojnë të tronditin Francën.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në natën e pestë të protestave janë djegur 577 automjete dhe 74 objekte dhe janë regjistruar 871 zjarre në rrugë dhe hapësira të tjera publike.
Nahel u qëllua në distancë nga një polic të martën e kaluar gjatë një kontrolli trafiku në periferi të Parisit, Nanterre, pasi ai injoroi urdhrat për të ndaluar.
Polici po përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.