Pas përballjes me një rënie serioze në zgjedhjet parlamentare të Francës, presidenti Emmanuel Macron mund të përdorë dy opsione për të provuar të mbajë një shumicë parlamentare: të krijojë aleancë me partitë opozitare ose të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të reja, thonë ekspertët.
Rezultatet zyrtare në fund të raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare rezultuan në një dhomë të ulët të fragmentuar. Aleanca "Ensemble" (Së bashku) e Macron-it doli në krye me 245 vende, por gjithsesi nuk kishte 289 mandatet e kërkuara për shumicë absolute. Koalicioni i krahut të majtë Unioni i Ri Popullor Ekologjik dhe Social (NUPES) mori 131 vende dhe partia e ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar e Marine Le Pen-it siguroi 89.
Në skenarin e një shumice relative, Macron do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë të miratojë legjislacionin kryesor për të çuar përpara agjendën e mandatit të dytë të qeverisë së tij. 89 ligjvënësit e ekstremit të djathtë dhe 131 ligjvënësit e të majtës mund të bllokojnë në mënyrë efektive projektligjet e partisë në pushtet, siç është reforma e pensioneve. Të dyja lëvizjet politike kanë kundërshtuar propozimin e Macron-it për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 65.
Duke folur për France Bleu news, politologu Olivier Ihl, profesor në "Sciences Po Grenoble", vlerëson se për të kapërcyer "pengesën serioze", Macron "do të duhet të hyjë në një moment krejtësisht të ri, që është ai i koalicioneve".
Pikëpamjet e tij u përsëritën edhe nga ministri i Shërbimit Publik Stanislas Guerini, i cili tha për RTL news se "Ensemble" do të duhet të jetë e gatshme të krijojë aleanca të bazuara në çështje me partitë e majta dhe socialiste.
"Ajo që duam është të gjejmë një shumicë të interesit të përgjithshëm me ata që duan të çojnë vendin përpara përkrah nesh", tha ai, duke shtuar se partia mund të gjejë shumicën me NUPES, që është shumë heterogjene, në rastin e projektligjeve me të cilat të dyja partitë politike pajtohen.
Zgjedhje të reja
Macron gjithashtu mund të përdorë nenin 12 të Kushtetutës për të vazhduar me shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare, pas së cilës duhet të zhvillohen zgjedhje të reja brenda 20-40 ditëve.
"Në rast se nuk ka shumicë, ose nëse shumica është shumë e rastësishme, asgjë nuk e ndalon shpërbërjen në atë kohë", tha eksperti konstitucionalist Didier Maus për CheckNews.
Zgjedhjet parlamentare, të cilat u zhvilluan në dy raunde, më 12 dhe 19 qershor, u mbajtën afër zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 10 dhe 24 prill. Të dyja zgjedhjet u dëmtuan nga një përqindje e lartë abstenimi, e cila është bërë një karakteristikë e rregullt e zgjedhjeve në Francë.
Ekspertët kanë frikë se nëse shpallen zgjedhje të reja tani, lodhja nga zgjedhjet mund të çojë në rezultate të padëshirueshme.
"Nëse rezultati (i votimit) është i njëjtë, do të ishte një dëm i tmerrshëm politik", tha Aida Manouguian, doktoreshë e së drejtës publike, për CheckNews.
Për momentin, të tronditur nga rezultatet, Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne janë përmbajtur nga deklaratat në lidhje me atë që do të ndodhë në vijim. Pas rezultateve katastrofike, gazetat në Francë përmblodhën gjendjen shpirtërore të partisë në pushtet në faqen e parë me tituj si "Shuplakë" nga e përditshmja Liberation, "Tërmet" nga Les Echoes, ndërkohë që Le Figaro publikoi lajmin me titullin "Prova e një France të paqeverisshme".
21 Qer 2022
Macron përballet me opsione të vështira
Koalicone apo zgjedhje të reja në Francë, mbetet të shihet
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore