Maduro porosi SHBA-së: Mos ndërhyj në punët e brendshme të Venezuelës. / Photo: AA Archive

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka reaguar ndaj deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në lidhje me zgjedhjet presidenciale në vend, duke thënë: "SHBA, mos ndërhyni në punët e brendshme të Venezuelës", transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar mbështetësve të tij nga ballkoni i Pallatit Presidencial "Miraflores" në kryeqytetin Karakas, Maduro ka reaguar ndaj sekretarit amerikan Blinken.

Ai tha se Venezuela është shtet sovran dhe se vullneti i popullit u manifestua në zgjedhje. "SHBA-ja po vjen për të thënë se ka një tjetër kryetar shteti në Venezuelë. SHBA, mos ndërhyj në punët e brendshme të Venezuelës", theksoi Maduro.

"Ata duan ta bëjnë vendin si Haiti dhe Ekuadori"

"Pothuajse 85 për qind e tyre janë emigrantë nga Kolumbia, Peruja, Kili dhe Teksasi. Kemi parë shumë grushte shteti, por nuk kemi parë kurrë kriminelë me këto karakteristika që përgatisin kurthe kaq të mëdha. Këto janë bandat e brezit të ri të Venezuelës. Ata duan ta bëjnë vendin si Haiti dhe Ekuadori, të dominuar nga banditët", tha Maduro lidhur me protestat në vend.

Ai u bëri thirrje të gjithë kandidatëve që duan të kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të shpallura nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) që t'i dorëzojnë procesverbalet e tyre CNE dhe Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Venezuelës (TSJ).

Sipas tij, vendimet që do të marrin CNE dhe TSJ pas shqyrtimit të procesverbaleve do të jenë vendimtare. Maduro tha se do të dorëzojnë edhe procesverbalet e tyre në këto institucione.

Maduro shtoi se ekonomia e Venezuelës ka kapërcyer shumë pengesa pavarësisht sanksioneve. "Njerëzit nuk i besuan opozitës në zgjedhje dhe e dinin se kush ishte përgjegjës për sanksionet. Venezuela theu hiperinflacionin dhe arriti të stabilizojë kursin e këmbimit të dollarit për muaj të tërë", tha ai.

TRT Balkan / agjencitë